Me daten 1 maj u shënua 14 vjetori i themelimit të Muzeut Etnografik të Malësisë (Lekaj-Tuz) nga z. Shtjefën Ivezaj . Sh[nimi i këtij përvjetori u bë në oborrin e muzeut, ku kishin ardhur për të marrë pjesë dhjetra adhurues të vlerave të Muzeut nga trojet shqiptare, nga të dy anët e kufirit politik të Malësisë, nga Shkodra, Dukagjini etj.
Në këtë përvjetor mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Shqiperisë në Mal te Zi, z. Ernal Filo, Nënkryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe z. Sytki Ndrecaj (njëkohësisht edhe presidenti i shoqatës patriotike Malësia e Madhe “Nderi i Kombit”), Kryetari i Shoqatës atdhetare "Malësia e Madhe" me qendër në Shkoder, z. Ilmi Kurti, botuesi i revistes “Fjala” dhe gazetari i njohur, z. Gëzim Vuçaj, Keshilltarët e komunës urbane të Tuzit, zotrinjët Nikollë Camaj e Kolë Lulgjuraj si dhe intelektualë, artistë e veprimtarë të tjerë.
Veprimtari i njohur, z. Kolë Vulaj, foli shkurtimisht për vlerat e muzeut të themeluar me mjaft sakrifica dhe të mbajtur me shumë privime nga z. Shtjefen Ivezaj me ndihmen e bashkëshortes së tij, Gjyste Ivezaj. Më pas, të prënueshmit i përshëndeti Ambasadori i Shqiperisë në Mal të Zi, z. Ernal Filo, i cili vlerësoi lart Muzeun dhe themeluesin e tij z. Ivezaj, gjithashtu përshëndeti edhe bashkëshorten e z. Ivezaj e cila e ka mbështetur në këtë aktivitet historik e patriotik. Muzeu tha ai është një veper e madhe dhe e pakontestueshme që memorizon autoktoninë historike e kulturore të shqiptareve në trojet e veta.
Inventari i eksponateve arkeologjike dhe etnografike është aq i pasur sa ka nga ato që sot nuk gjenden as në muzeun kombëtar në Tiranë. Ambasadori Filo në fund të fjalës së tij premtoi se do të jenë gjithnjë pranë Muzeut dhe aktiviteteve të tij, si dhe do të sensibilizojë instancat më të larta të qeverisë e shtetit shqiptar për t'i dhënë këtij "monumenti" një mundësi më të denjë prezantimi.
Pas ambasadorit fjalën e mori krijuesi dhe themeluesi i muzeut, z. Shtjefen Ivezaj, i cili falenderoi të pranishmit dhe ata që kanë kontribuar për Muzeun, si dhe pershendeti në mënyrë të veçantë ambasadorin Filo, i cili ka marrë pjesë edhe në shënimin e pervjetorëve të tjerë të Muzeut si dhe në aktivitete të tjera të shqiptarëve në Mal të Zi.
Aktivitetin e përshëndetën edhe nënkryetari i Bashkisë të Malësisë Madhe. z. Sytki Ndrecaj, i cili premtoi se Bashkia e Malesisë së Madhe do të bëjnë gjithshka është e mundur për ta ndihmuar Muzeun etnografik të Malësisë, si dhe malësori nga Trieshi z. Shtjefën Palushaj (vëllai i historianit e shkrimtari të njohur Lulash Palushaj). Në fund të ketij aktiviteti, z. Shtjefën shpërndahu disa çertifikata mirënjohjeje, për ata që kishin kontribuar në forma të ndryshme për muzeun, bibliotekën etj. Ky përvjetor u mbyll me një koktej.