Viti 2023 po mbaron dhe në këto ditë dimri të dhjetorit magjik, Ambasada në bashkëpunim me Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi organizoi mbrëmjen festive “Ja na erdhi viti i ri”. Dhjetra fëmijë së bashku me mësuesit dhe prindërit e tyre gëzuan, u lumturuan dhe krijuan për disa orë një atmosferë festive në ambientet e Ambasadës.
“Ju jeni e tashmja e ardhmja dhe gëzimi i çdo dite të jetës sonë”, tha Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga, “ndaj për mua aktiviteti më i bukur i gjithë vitit është festa me ju. Lumturia juaj është motivimi më i madh për të bërë gjëra akoma më të bukura me ju, me prindërit, me mësuesit tuaj.”
Dhe sigurisht në këtë festë nuk mund të mungonte Babagjyshi që me zilen në dorë dhe thesin me dhurata në kurriz ftoi fëmijët të këndonin e të recitonin vjersha në gjuhën e bukur shqipe.
Gëzuar Krishlindjet dhe Vitin e ri fëmijë të dashur!!! Qoftë ky vit i bukur i paqtë dhe i dlirë si vetë ju.
Gëzuar!