Me rastin e Ditës së Pavarësisë, më 28 nëntor 2021, Ambasada e RSH-së në Athinë organizoi një aktivitet festiv për komunitetin shqiptar në Greqi, në ambientet e Hotel Divani Caravel.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Luela Hajdaraga shprehu kënaqësinë për kremtimin e kësaj dite të shënuar me bashkëatdhetarët, së bashku me Udhëheqësin e Zyrës së Interesave të Republikës së Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva, Zëvendës Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Greqi, z. Samir Ganija dhe me ish- Ambasadorin e nderuar të RSH-së në Athinë, z. Bashkim Zeneli.
Ambasadorja u shpreh se "Shqipëria që duam është e jona, është e të gjithëve. Historia na ka treguar se kudo ku shqiptarët bashkohen janë më të mirët. Ju jeni më të mirët!".
Të pranshmit shijuan në vijim një program të përzgjedhur artistik, prezantuar nga autorja e njohur Elona Gjergo, me debutimin e Poezisë "Baballarët" me autor Petrit Ruka, nga aktori i shquar Nikolla Llambro, pjesëve orkestrale me firzamonikë nga muzikanti i mirënjohur Dasho Kurti, grupit të valleve të fëmijëve të shkollës shqipe, Rendi, nën udheheqjen e mësuese Lefteri Metkaj, grupit të polifonise “Lot kurbeti”, Këngetares virtuoze Teuta Pango, grupit të polifonise “Vllazërimi”, grupit të valleve të shoqatës “Jeta” dhe Trios instrumentale me muzikë klasike, Yllka Pine, Sokrat Kana dhe Dhimitra Mantzouratou, shoqëruar nga balerini/koreografi Andrea Rama.
Marigotë e diasporës vijuan së qëndisuri flamurin tonë kombëtar, një simbolikë e cila na tregon rëndësinë e vazhdimësisë së traditave tona kombëtare.
Mbrëmja kulmoi me ndriçimin e sheshit Omonia, në qendër të Athinës, me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, një çast solemn në respekt të festës sonë dhe komunitetit shqiptar në Greqi.