Me ftesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë, Ambasadorja znj. Luela Hajdaraga dhe Atasheu Ushtarak Kolonel Roland Berzani, morën pjesë në fazën përfundimtare të Stërvitjes Ndërdisiplinore Shumëkombëshetë "Iniochos 2022", që u zhvillua në Bazën Ajrore në Andravidë.
Përveç Greqisë, në stërvitje morën pjesë edhe 8 shtete të tjera, midis tyre SHBA, Franca, Italia, Izraeli etj. Shtete të tjera ishin ftuar si vrojtues, Shqipëria, Arabia Saudite, Britania, India etj. Për rreth dy javë, 81 aeroplanë luftarakë të nisur nga bazat tokësore dhe 8 të tjerë të nisur nga dy aeroplanmbajtëset “Harry S. Truman” dhe “Charles de Gaulle” u trajnuan së bashku në bazë të një skenari që parashikonte rreziqe të shumta me qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë dhe të efektivitetit operacional në përballimin e tyre. Stërvitja dha një mesazh të qartë të gatishmërisë, operacionalitetit dhe forcës reaguese sidomos ndaj atyre që sot kërcënojnë dhe sulmojnë sigurinë dhe paqen në kontinentin tonë.
Ministri i Mbrojtjes Nikos Panagiotopoulos e përgëzoi Ambasadoren Hajdaraga për pjesëmarrjen dhe premtoi se në një kohë shumë të shpejtë do të ketë një shkëmbim vizitash mes dy ministrave të mbrojtjes.