Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias nënshkruan sot në Sunio, Greqi, marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjeteve.
Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit është një zhvillim pozitiv, pasi do t'u krijojë lehtësi lëvizjeje dhe komunikimi më të mëdha shtetasve shqiptarë dhe grekë. Marrëveshja do të lehtësojë ndjeshëm jetën e qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, por dhe atyre që udhëtojnë drejt vendit fqinj dhe anasjelltas.
Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 euro për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi. Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues automjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.
Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit është një rezultat i prekshëm i paketës së çështjeve dypalëshe të diskutuar në Kretë dhe Korçë nga dy Ministrat e Jashtëm dhe i një punë të gjatë negociuese mes Ministrive të Transportit të dy vendeve tona.
Pas nënshkrimit, kjo marrëveshje do t'u nënshtrohet procedurave respektive për hyrjen në fuqi.
Pas zgjidhjes së çështjes së regjistrimit të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi, tërheqjes së rezervës nga Greqia për përdorimin e vulës Apostille, ky është një tjetër rezultat i rëndësishëm i angazhimeve që kanë ndërmarrë dy qeveritë si pjesë e çështjeve që përbëjnë paketën e dakordësuar për zgjidhje nga Ministrat e Jashtëm.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ministrat rikonfirmuan angazhimin për vijimin e punës për zgjidhjen e çështjeve të tjera dypalëshe.