Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtoria e Diplomacisë Ekonomike, njofton të gjithë qytetarët shqiptarë jashtë vendit që janë pjesë e sektorit të gastronomisë, se në datat 2 dhe 3 Tetor 2024, në Arena Halle, Berlin, Gjermani, do të zhvillohet Global Albanian Gastronomy Festival (GAGF).
Ky event organizohet me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Nën moton “Aty ku tradita bashkohet me tregtinë”, GAGF do të bëjë bashkë trashëgiminë kulinare dhe potencialin për zhvillim biznesor dhe ekonomik të shqiptarëve në një skenë globale. GAGF është panairi më i madh tregtar shqiptar i organizuar jashtë vendit, i cili ka në fokus forcimin e lidhjeve mes diasporës shqiptare kudo në botë të suksesshme në gastronomi dhe bizneseve shqiptare që ofrojnë produkte dhe shërbime që lidhen me gastronominë të tilla si: ndërtimi, mobilimi & design, zinxhiri i vlerës i produkteve pije dhe ushqime, shërbimet digjitale & outsourcing, sidheagro-turizmin dhe patundshmërinë në turizëm.
Ky event do të shërbejë si një platformë e shkëlqyer për zgjerimin e rrjetit të kontakteve, ndarjen e përvojave dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim. Në të njëjtën kohë ky event është një festë për gjithë shqiptarët jashtë vendit që kontribuojnë në sektorin e gastronomisë dhe një mirënjohje për ta, që me punën e tyre të ndershme dhe të palodhur janë ambasadorë të mirë të vendit tonë dhe të traditave tona në gastronomi dhe kulinari.
Për më shumë informacione rreth panairit dhe programit të plotë, ju lutemi vizitoni faqen zyrtare të panairit https://gagfestival.com/.
Ju mirëpresim!