Në nderim të 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada Shqiptare në Greqi dhe Klubi Shqiptar i Futbollit APOLONIA FC ATHINA me trajner, z. Benard Veliu në bashkëpunim me Komuniteti Shqiptar Greqi, përfaqësuar nga Kryetari, z. Ermal Sulaj, çelën ditën e diel, 19 nëntor 2023, kampionatin e futbollit "Kupa e Pavarësisë ", në fushën sportive të Bashkisë Koridhalo.
Në këtë aktivitet, kushtuar sportit të bukur të futbollit, garuan sportistë profesionistë dhe amatorë, fëmijë dhe të rinj, shqiptarë dhe grekë, anëtarë të trupit diplomatik, të cilët dhuruan emocione të vërteta sportive.
Nderuan me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva, Kryetari i Bashkisë Kamena Vourla, z. Ilias Kyrmanidis, Presidenti dhe Nënpresidenti i Klubit Sportiv Kamena Vourla, z. Giorgos Papadimitriou dhe Ardian Toska, si dhe ish-futbollistë të kombëtares shqiptare.
Në fjalën e rastit, Ambasadorja e RSH-së në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, shprehu kënaqësinë dhe falenderimet për pjesëmarrjen dhe realizimin e edicionit të 2-të të Kupës së Pavarësisë, e cila synon të kthehet në një traditë të bukur, të përvitshme për komunitetin e sportit. Të tilla aktivitete, theksoi ajo, forcojnë akoma më tepër frymën e skuadrës dhe gjithashtu atë të miqësisë së mirë mes dy popujve.
Gara sportive u çel me debutimin plot emocion të himneve të të dy vendeve nga këngëtarja e mirënjohur shqiptare, znj. Teuta Pango, e cila në vijim përshëndeti të pranishmit me këngën-himn tashmë të kombëtares shqiptare të futbollit “Mora fjalë”.
Në përfundim të aktivitetit u ndanë 4 kupa dhe 30 medalje për ekipet dhe golashënuesit më të mirë. Këtë vit “Kupa Pavarësia 2023” u fitua nga ekipi dinamik i Apolonia F.C, ndërsa për herë të parë një kupë u fitua ekipi i moshave të vogla të Kamena Vourla. Sulmuesit dhe portierët më të mirë u nderuan edhe me fanellat e dërguara posaçërisht për këtë aktivitet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit e Kosovës - Football Federation of Kosova.
Falenderime të shumta për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuesit, por në veçanti mirënjohje të thellë për Bashkinë Koridhalo, e cila për të dytin vit vuri në dispozicion fushat e saj, për realizimin e kampionatit të futbollit. Falenderime speciale gjithashtu për sipëmarrësin greko-shqiptar, z. Thimjo Maksakuli, sponsorin kryesor të këtij aktiviteti. Mirënjohje për mbështetjen e vyer për znj. Teuta Pango, znj. Elona Gjergo, z. Ardian Toska, ish-futbollistët e kombëtares shqiptare dhe prindërit e futbollistëve të vegjël, të cilët bënë të mundur që edhe këtë vit Kupa e Pavarësisë të realizohej me sukses.
Mirë u takofshim në kampionatin e radhës!