Më 21 shkurt 219, Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Sokol Dedja, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm dhe çështjeve evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Vjenë, Austri. Në këtë takim, mikpritës i të cilit ishte Ministri Federal Austriak për Bashkimin Evropian, z. Gernot Blümel, përveç Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani, Ministrit të Jashtëm të Bosnje&Hercegovinës, z. Igor Crnadak, Ministres Serbe të Integrimit Evropian, znj. Jadranka Joksimoviç, Ministres për Integrimin Evropian të Republikës së Kosovës, znj. Dhurata Hoxha, i pranishëm ishte edhe Ministri Rumun për Çështjet e BE-së, z. George Ciamba, si përfaqësues i vendit që ka presidencën e Këshillit Evropian.
Diskutimet u fokusuan tek gjendja dhe sfidat aktuale me të cilat përballet Bashkimi Evropian, shkëmbimi i ideve, vizionit, por edhe i pritshmërive në lidhje me të ardhmen e Unionit, nisur kjo edhe nga rëndësia që Austria i kushton vendeve partnere nga Ballkani Perëndimor dhe aspiratave të tyre për t’iu bashkuar familjes evropiane.
Nga ana e tij, z. Dedja ndau me të pranishmit këndvështrimin mbi efektivitetin, qëndrueshmërinë dhe aftësitë e BE-së për t’u përballur dhe për të gjetur zgjidhje ndaj sfidave që paraqesin zhvillimet e fundit brenda vetë Unionit dhe ato që lindin si pasojë e situatës globale gjithnjë e më të paqëndrueshme. Ai evidentoi gjithashtu edhe pritshmëritë që vendi ynë ka përsa i përket mandatit të ardhshëm legjislativ të Bashkimit Evropian dhe kontributin që Shqipëria mund të japë në formësimin e të ardhmes së Evropës. “Rajoni ynë ka një rëndësi të madhe për arkitekturën e sigurisë dhe stabilitetit të Unionit dhe në këtë kuptim, të gjithë ne duhet të kontribuojmë për vazhdimësinë, konsolidimin dhe zgjerimin e Projektit Evropian”, theksoi ndër të tjera Zëvendësministri Dedja.
Gjatë qëndrimit në Austri, u zhvilluan gjithashtu konsultime dypalëshe Shqipëri – Austri. Delegacionit austriak u kryesua nga Dr. Johannes Peterlik, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme. Në fokus të diskutimeve ishte identifikimi i rrugëve për forcimin e mëtejshem të marrëdhenieve dypalëshe dhe mbështetja austriake për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.