Një delegacion i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë i kryesuar nga z. Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Greqi, me ftesë të Parlamentit të Republikës së Greqisë.
Në përbërje të delegacionit ishin znj. Anila Denaj, Nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste; z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Finanacave; z. Arben Pellumbi Kryetar i Komisionit Parlamentar të Aktiviteteve Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, dhe z. Laert Duro deputet i Gjirokastrës.
Delegacioni shoqërohej nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga.
Në Parlamentin e Greqisë, u zhvilluan takime me Nën Kryetarin e Parë të Parlamentit dhe njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Çështjet Evropiane, z. Nikitas Kaklamanis, si dhe me Zëvendës Kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Greqi-Shqipëri,znj. Maria Kefala; me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Demokracisë së Re, z. Ioannis Bouga; me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes për Ndryshim, z. Michael Katrinis; me Kryetaren e Grupit Parlamentar të SYRIZA-s, znj. Olga Gerovasili, si dhe me z. Giorgos Papandreou, President i Internacionales Socialiste.
Në fokus të diskutimeve mes palëve ishin: marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë-me mundësi reale që ato thellohen më tej-veçanërisht në fushat ekonomike, integrimi evropian i Shqipërisë dhe mbajtja e menjëherëshme e Konferencës së I-rë Ndërqeveritare për Shqipërinë në kushtet e plotësimit të të gjitha kritereve të vendosura nga BE-kur konteksti gjeopolitik dhe agresioni rus në Ukrainë imponojnë përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërparlamentar Shqipëri-Greqi.
Një vëmendje të veçantë, në të gjitha takimet, zuri komuniteti shqiptar në Greqi, integrimi dhe kontributi i tij, dhe çështje që lidhen me të, me fokus në nevojën e arritjes së një marrëveshje për sigurimet shoqërore.