Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në Sesionin e 125 Ministror të Këshillit të Evropës, që u zhvillua në Bruksel. Në këtë takim morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.
Gjatë punimeve të Sesionit Ministror u diskutua mbi Raportin e dytë të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, i cili fokusohet mbi situatën e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut në Evropë dhe trajton aspekte të veçanta të sigurisë demokratike në kontinentin tonë. Njëkohësisht, në kuadër të kontributit dhe rolit ekskluziv të Këshillit të Evropës në vendosjen e standardeve ligjore në luftën kundër terrorizmit, Ministrat miratuan Deklaratën dhe Planin e Veprimit 2015-2017 të KiE-s kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm. Gjithashtu, u ra dakord për tekstin e Protokollit shtesë të Konventës së KiE-s kundër Terrorizmit, me fokus të veçantë ndaj luftëtarëve terroristë të huaj.
Ministrat i kushtuan vëmendje të veçantë rolit të Këshillit të Evropës në përgjigje të krizave aktuale dhe konflikteve në Evropë, si dhe situatës humanitare me pasoja tragjike për jetët njerëzore në Mesdhe.
Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi raportin e paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm Jagland, duke theksuar rolin e Këshillit të Evropës në sigurinë demokratike të kontinentit tonë. Viti 2015 shënon 20 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Përgjatë kësaj periudhe vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës, dhe sot është një vend kandidat i BE-së e faktor i rëndësishëm në stabilitetin rajonal.
Ministri nënvizoi rëndësinë që merr rajoni i Ballkanit Perëndimor në situatën aktuale të krizës dhe konflikteve në lindje dhe në jug të kontinentit si dhe të flukseve migratore në Mesdhe. Në kuadër të situatave të konfliktit në Evropë, Ministri theksoi rëndësinë që i kushton Shqipëria sfidave të sigurisë si dhe evidentoi faktin se sot organizohet në Tiranë Ministeriali mbi Luftën Kundër Dhunës Ekstreme, në vijim të takimit të parë, mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.
Referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni, Ministri Bushati u shpreh: " Do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj mbi zhvillimet në Maqedoninë fqinje. Nuk i referohem këtu vetëm luftimeve, shkatërrimit dhe humbjes së jetëve në qytetin e Kumanovës pak ditë më parë, ngjarje që, jo vetëm për shkak të përbërjes etnike komplekse të Maqedonisë, kërkojnë transparencë të plotë. Marrëdhëniet ndëretnike janë jetike për ekzistencën e Maqedonisë, ashtu sikundër është dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. T’i quash zhvillimet e fundit në Maqedoni përplasje me karakter ndër-etnik dhe ndër-fetar është më shumë se sa një pakujdesi, është papërgjegjshmëri dhe përpjekje për të ndezur tensione ndëretnike. Kjo nuk është në interesin e sigurisë së Maqedonisë, të rajonit apo të vetë Evropës".
Ministri vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur Këshilli i Evropës në ankorimin e Kosovës në komunitetin evropian të vlerave, si dhe theksoi se: " Qëllimi ynë parësor është të sigurojmë që të gjithë qytetarët evropianë, pa përjashtim, të gëzojnë standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës të garantuara nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe nga i gjithë sistemi ynë i konventave. Për këtë arsye, sa më parë të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës, aq më shpejt shtetasit kosovarë do të mund të gëzojnë mbrojtjen që ofron sistemi ynë i konventave. Mbajta e Kosovës jashtë e privon atë dhe shtetasit e saj nga mbështetja jetike që kjo organizatë ofron sa i përket përforcimit të sigurisë demokratike".
Në përfundim të punimeve të sesionit Ministror, Kryesia e radhës e Këshillit të Evropës i kaloi Bosnjë-Hercegovinës për 6 muajt e ardhshëm.