Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, z. Bledi Çuçi, u prit në një takim nga Kryebashkiaku i Athinës, z. Kostas Bakoyannis.
Në një atmosferë shumë miqësore, bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje mbi qeverisjen lokale, politikat publike, decentralizimin dhe organizimin e pushtetit vendor ndërsa u fokusuan në çështje thelbësore që shqetësojnë pushtetin vendor. Ministri Çuçi bëri një ekspoze të impaktit të reformës administrative dhe territoriale në Shqipëri, reformë që pati gjithashtu si vlerë të shtuar edhe krijimin, për herë të parë, të bashkive të reja ku jeton minoriteti grek.
Ministri e vlerësoi Athinën si një kryeqendër për shumë e shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh, e cila së bashku me Tiranën, përbëjnë dy pole graviteti të miqësisë së rrënjosur thellë tek të dy popujt, si dhe përcolli mesazhin për një komunikim dhe bashkëpunim më të ngushtë në të gjitha nivelet, në të ardhmen.
Gjithashtu në këtë takim, u diskutua mbi ecurinë e procedurave që po ndiqen për hapjen e një Qendre Kulturore për komunitetin shqiptar në Athinë.