
Në Athinë u zhvillua Seminari i 14-të me titull ''Përdorimi i metodave bashkëkohore në mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë e dytë”, organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, me mbështetjen e Ambasadës së RSH-së - Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Qendrës së Botimeve për Diasporën - Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja e RSH-së në Greqi, znj. Luela Hajdaraga theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, dhe falënderoi mësuesit për përkushtimin dhe vendosmërinë për të përçuar gjuhën shqipe tek fëmijët shqiptarë në Diasporë, duke konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e Ambasadës së RSH-së në Athinë për projekte, ide dhe nevoja që lidhen me këtë proces. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zëvëndës Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Artemis Malo, Ambasadorja e RSH-së, znj. Luela Hajdaraga, Oficerja Koordinuese për Çështjet e Diasporës, znj. Joneda Dodaj, Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, Nën Kryetari i Bashkisë së Athinës për Çështjet Arsimore dhe të Digjitalizimit, z. Nikolaos Vafeiadis, Kryetari i Komunitetit Shqiptar në Greqi, z. Ermal Sulaj, Kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, z. Pjerin Lleshi, kryesia e LMSHG, shkencëtarë, akademikë dhe 60 mësues nga Shqipëria, Greqia, Turqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Mbretëria e Bashkuar. Aktiviteti u mbyll me shpërndarjen e teksteve dhe librave jashtëshkollorë dygjuhësh për kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, të mundësuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Qendra e Botimeve për Diasporën pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit së RSH-së.