Në kuadër të aktiviteteve të Nëntorit Shqiptar, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë në bashkëpunim me Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë realizuan në ambientet e New York College Konferencën e Biznesit titulluar "Sipërmarrësit shqiptarë: Të ndërtosh prestigjin dhe prosperitetin në diasporë", me të ftuar të veçantë Kryetarin e Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, Kryetarin e Bashkisë Deçan, Kosovë, z. Bashkim Ramosaj, Nënkryetaren e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, znj. Elisabeta Katiaj. Ky aktivitet iu kushtua me shumë mirënjohje komunitetit të biznesit shqiptar në Greqi, për kontributin e rëndësishëm në mirëqënien ekonomike dhe ndikimin pozitiv në imazhin dhe brandimin e vendit tonë.
Në fjalën përshëndetëse, Ambasadorja e RSH-së në Greqi, znj. Luela Hajdaraga iu referua rëndësisë së Diplomacisë Ekonomike në zhvillimin ekonomik të vendeve dhe forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe rajonale. Në këtë kuadër ajo theksoi rolin e veçantë të sipërmarrjes shqiptare në Greqi, e cila ka mishëruar format më të larta të këmbënguljes, vizionit dhe punës së palodhur. Duke u ndalur në rëndësinë që Ambasada i kushton diplomacisë ekonomike, si objektiv parësor dhe strategjik të politikave qeverisëse, znj. Hajdaraga ftoi të gjithë të pranishmit të jenë pjesë proaktive e zhvillimeve pozitive të Shqipërisë dhe mundësive të shumta që ajo ofron për biznesin dhe investimet.
Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva në fjalën e tij shprehu rëndësinë dhe ndikimin e diasporës në mirëqenien e vendeve amë, duke përgëzuar veçanërisht rolin e sipërmarrjes shqiptare si katalizatore e fuqishme për zhvillim dhe transformim. Z. Gllareva u ndal tek investimet, si shprehja më e prekshme e lidhjes së diasporës me vendin e origjinës, por gjithashtu edhe remitancat, transferimi i njohurive dhe ekspertizës si dhe rëndësinë e rrjetëzimit për të potencuar këtë proces.
Kryetarët e Bashkive Lezhë dhe Deçan në prezantimet e tyre u paraqitën të pranishmëve resurset turistike të bashkive përkatëse si dhe potencialet e zhvillimit dhe investimit. Duke qenë dy njesi vendore të spikatura për marzhin e lartë të turizmit, ata ftuan sipërmarrësit shqiptarë të vizitojnë këto vende dhe të konsiderojnë përfshirjen në aktivitete biznesi në to.
Në dy panelet e diskutimit me Nënkryetaren e DHBDSH, znj. Elisabeta Katiaj dhe përfaqësues të spikatur të komunitetit të biznesit shqiptar në Greqi, të brezit të parë të sipërmarrjes dhe të rinjt e sapofutur në këtë fushë, të pranishmit patën mundësi të dëgjojnë eksperiencat dhe praktikat më të mira të ngritjes së prestigjit dhe prosperitetit në diasporë, si dhe rëndësinë e inovacionit, diversitetit dhe rrjetit mbështetës brenda dhe jashtë komunitetit, në suksesin e drejtimit.
Ky aktivitet u moderua nga diplomatet e Seksionit të Diplomacisë Ekonomike dhe të Seksionit të Diasporës së Ambasadës së RSH-së në Athinë, znj. Joana Zhonga dhe Joneda Dodaj.
Në fund të pranishmit patën mundësinë e bashkëbisedimit dhe rrjetëzimit, duke shijuar një banket të shtruar me këtë rast.
Falënderojmë veçanërisht New York College për mbështetjen e pakursyer në realizimin e aktiviteteve tona, si dhe sipërmarrësit shqiptarë Edmond Reka, Ersi Ceno dhe Leonora Xuxi për kontributin bujar në organzimin e banketit.
Mirë u takofshim në aktivitetet e tjera të Nëntorit Shqiptar!