Në kuadër të forcimit të diplomacisë së qyteteve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj është pritur në një takim nga Kryetari i Bashkisë së Athinës, z. Haris Doukas, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në adresimin e sfidave aktuale të përbashkëta.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, njëkohësisht Kryetar i Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40, bashkë me homologët e tij grekë, mori pjesë si folës në konferencën “Athina në Qendrën e Rezistencës Urbane Klimatike dhe Tranzicionit Energjitik”, organizuar në ambientet e Kolegjit Amerikan në Athinë. Në këtë konferencë, kryetarët e Bashkive ndanë pikëpamjet dhe përvojat e tyre si dhe shkëmbyen praktikat më të mira që lidhen me qëndrueshmërinë ndaj klimës dhe tranzicionin e energjisë urbane.
Vizita e z. Veliaj përfundoi me pjesëmarrjen e tij në shfaqjen e premierës së filmit “Dy gisht mjaltë 2”, ku u takua dhe bashkëbisedoi me producentin/protagonistin z. Ermal Mamaqi, aktorë të filmit dhe qytetarë shqiptarë që ndoqën filmin.